Në studion e “A2 CNN” pensionisti Vladimir Dushniku, tha se ky vendim është konkluzioni i qëndrimeve harbute të kryeministrit. Sipas tij qeveria ka krijuar një regjim kriminal anti-popullor.
“Nga këto 5 javë protesta kemi dalë në konkluzionin që kemi një qeveri që ka krijuar regjimi kriminal anti-popullor. Vendimi i qeverisë për bonusin e fundvitit është konkluzioni i qëndrimeve harbute që ka mbajtur Rama me pensionistët. Nuk guxoi të takohej me ne, por organizonte antiprotesta me ata që nuk ankohen dhe kanë interes atë zgjidhura. Popullit thotë pyet të vuajturin jo te diturin. Kur ti mua nuk më përfill ku është demokracia? Ky është regjim antipopullor. Nuk ka bërë vaki të protestojnë pensionistët dhe një kryeministër mos të dërgojë pastruesen e të takohet me ne, por takohet me të tjerë që nuk kanë probleme, kujt i duhet kjo?”, tha i moshuari.
Sipas tij, Rama bën pazar me bukën e pensionistëve, ndërsa shprehet se edhe kafen nuk e ka pirë, pasi nuk i del deri sa të vijë data e pensionit.
“Ky nuk dëgjon çfarë hallesh kemi ne. Unë sot nuk kam pirë kafe se nuk më del. Po pres të vijë data të marr pensionin. Flas për vete dhe për shumicën e 511 pensionistëve që marrin më pak se 200 mijë lekë të vjetra. Ç’është ky kryeministër që bën pazar me bukën e pensionistëve edhe 200 mijë lekë i jep po ky është krim” , tha ai.
