Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 0.4 pikë në nëntor. Megjithatë, sipas bankës së Shqipërisë, ky tregues vijon të qëndrojë në nivele të larta historike, rreth 13 pikë mbi mesataren afatgjatë. Rënia u përcaktua kryesisht nga dobësimi i besimit në sektorin e shërbimeve.
Në një masë më të vogël rënëse ndikoi edhe rënia e besimit në sektorin e industrisë. Nga ana tjetër, rritja e besimit në sektorët e ndërtimit, të tregtisë dhe e besimit konsumator kontribuuan pozitivisht, duke zbutur rënien në treguesin agregat.
Treguesi i besimit të industrisë ra me 0.9 pikë përqindje në muajin nëntor. Niveli i tij qëndron rreth 10 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia u ndikua nga vlerësimet më pesimiste për kontratat porositës të bizneseve. Situata e prodhimit industrial aktual u vlerësua më pozitivisht duke zbutur ndikimin rënës të komponentit të parë. Bizneset vlerësojnë në rritje gjendjen e inventarëve. Pritjet për çmimet në të ardhmen nuk kanë ndryshuar krahasuar me muajin e kaluar.
Treguesi i besimit në shërbime ra me 6.1 pikë përqindje në nëntor, por niveli i tij qëndron ndjeshëm mbi mesataren historike me rreth 17 pikë përqindje. Në rënie kontribuuan vlerësimet në rënie të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe për nivelin aktual të kërkesës. Gjithashtu, pritjet për nivelin e punësimit dhe ecurinë e çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.
Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 5.1 pikë përqindje në nëntor. Niveli i tij vijon të qëndrojë rreth 28 pikë mbi mesataren historike. Rritja u drejtua kryesisht nga vlerësimet më optimiste për aktivitetin aktual ndërtues. Gjithashtu, kontratat porositëse u vlerësuan me rritje këtë muaj. Pritjet për punësimin u rritën lehtë, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen vijuan prirjen rënëse.
