Grupi Parlamentar i PD ka kërkuar një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është drejtuar me një shkresë kryeparlamentares, Elisa Spiropali, ku në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 97 të Rregullores së Kuvendit, kërkojnë zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve të detajuara lidhur me ekzekutimin e vendimit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, të Qendrës për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID).
SHKRESA DREJTUAR KRYETARES SE KUVENDIT
Në prill 2021, opinioni publik shqiptar është njohur me vendimin “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, të marrë nga Qendra për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve pranë Bankës Botërore (ICSID), e cila kishte vendosur t’iu akordonte palëve paditëse një dëmshpërblim në vlerën 110 milionë euro nga Republika e Shqipërisë, përfshirë interesat dhe shpenzimet gjyqësore.
Ky shpërblim iu akordua palëve paditëse Becchetti dhe të tjerë, pasi nga faktet dhe provat e vëna në dispozicion, ICSID ka konstatuar se si rezultat i veprimeve të paligjshme të zyrtarëve të lartë shtetërorë, ku përfshihen Edi Rama, me detyrë kryeministër i Shqipërisë, Erion Veliaj, me detyrë Kryetar i Bashkisë Tiranë dhe Ëngjëll Agaci, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të një rangu më të ulët si Enkelejd Joti, me detyrë drejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (asokohe), ish-drejtor i përgjithshëm i Top Channel, shtetasi Skerdi Drenova, me detyrë administrator i Operator të Sistemit të Transmetimit (asokohe), ish-zëvëndësdrejtor i përgjithshëm i Top Channel dhe shtetasi Gentian Sala, kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive (asokohe), ish-drejtor i Top Channel dhe Digitalb, sipërmarrjet e biznesmenit italian Becchetti janë shkatërruar plotësisht.
