Avokatët e të pandehurve të dosjes “Metamorfoza”, kanë reaguar pas intervistës së kreut të SPAK, Altin Dumani, dhënë një ditë më parë.
Reagimi i plotë:
Nga: Avokatët pjesëmarrws në çështjen penale nr 09/2023 (njohur si Metamorfoza -1)
Dëgjuam me shumë vemendje deklarimet e zotit Altin Dumani, drejtues i SPAK në emisonin e gazetarit Alban Dudushi.
Na vjen mirë që më në fund një prokuror i SPAK, aq më tepër drejtuesi i tij, pranon të komentojë në media edhe në lidhje me një cështje konkrete sikurse është ajo që njihet nga publiku si Metamorfaza -1.
Sikurse dihet, gjykimet e deri sotme në këtë çështje janë zhvilluar me dyer të mbyllura prandaj edhe transparenca mbi përmbajtjen e të dhënave dhe debatet në procesin gjqyësor, nga ana jonë ka qenë krejtësisht i kufizuar duke mos dhënë përgjigjet e duhura mbi disa aspekte që “drejtësia Popullore” me “transkripte” të nxjerrja nga dosja dhe nga konteksti, me identifikim të dyshimtë dhe me deformime të përmbajtjes së tyre, ka gjykuar, deklaruar fajtor dhe ka dënuar të gjithë personat e dyshuar të kësaj çështje.
Deklarimet në media të prokurorit Dumani për këtë çështje janë të mirpritura për sa pretendoi se të dhënat e SKY ECC nuk mund të jenë të vetmet në një proces gjyqsor dhe, Prokuroria e Posaçme i kanë përdorur këto të dhëna për të gjetur provat proceduriale.
Në fakt, në dosjen metamorfoza ku ne shërbejmë si mbrojtës dhe gjendemi në krahë të kundërta por përballë Gjykatës, vështirë të gjendet ndonjë provë fizike, gjurmë daktiloskopike, pamje filmike, provë me dokument apo me dëshmitarë, që të provojnë, në mënyrë të pavarur nga përmbajtja e përgjimeve, akuzat që janë ngritur vetëm mbi hamendësimet e bisedave të përftuara nga përgjimet e SkyECC.
Nga ana tjetër, na vjen mirë që drejtuesi i SPAK pranon se ka debat precedurial mes palëve për legjitimitetin e mënyrës së përftimit të dhënave të SkyECC nga autoritet franceze dhe vlerën e tyre në raport me legjislacionin shqiptar. Po, ka patur dhe ka ende debat për këtë gjë.
