Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka zbuluar planet e tij për të rikthyer një nga zyrtarët më të njohur dhe më të ashpër në fushën e imigracionit, Tom Homan, i cili do të udhëhoqë një operacion të madh për kontrollin e kufijve dhe dëbimin e imigrantëve pa dokumente në administratën e tij të ardhshme.
Në një postim të tij në platformën Truth Social, Trump e ka konfirmuar emërimin e Homan si një nga udhëheqësit kryesorë të politikave të imigracionit. Trump shprehu besimin e tij të plotë tek Homan, duke theksuar se ai është një nga ekspertët më të mirë për të menaxhuar kufijtë kombëtarë të Shteteve të Bashkuara.
“Jam i lumtur të njoftoj se ish-drejtori i Kontrollit Kufitar, Tom Homan, do t’i bashkohet administratës Trump, i angazhuar për kufijtë kombëtarë,” shkroi Trump. “E njoh Tomin për kohë të gjatë, nuk ka asnjë njeri që mund të kontrollojë më mirë kufijtë tanë,” shtoi ai, duke theksuar eksperiencën e gjerë të Homanit në menaxhimin e politikave të imigracionit dhe kontrollit të kufirit.
Përmes këtij emërimi, Trump ka bërë të qartë se rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë do të shoqërohet me një rritje të forcës në menaxhimin e kufijve dhe një fushatë masive për dëbimin e imigrantëve pa dokumente. Ish-presidenti amerikan ka thënë se, qysh në ditën e parë të administratës së tij të dytë, ai do të nisin operacionin më të madh në historinë amerikane për dëbimin e të huajve që janë në SHBA pa leje, duke përdorur forca shtesë dhe strategji të reja.
