Studiues shqiptarë dhe të huaj u mblodhën në konferencën “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia”. Konferenca që po mbahet në Tiranë vjen e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë Krahasuese dhe Indoeuropiane, si dhe të Albanologjisë, në Mynih, ku të pranishëm ishin dhe autorët kryesorë të artikullit shkencor në revistën “Science”, ku flitet për origjinën e shqipes dhe shkëputjen e saj nga trungu indoeuropian. Gjuha shqipe nuk ka ende një datë lindjeje të konfirmuar, por ajo që dihet është se kjo gjuhë është shkëputur 6 mijë vjet më parë nga trungu indoevropian!
Ky ishte dhe thelbi i diskutimeve nga studiuesit gjatë kësaj konference që zhvilloi ditën e parë të punimeve në Tiranë. Studimi i publikuar në revistën “Science”, u bë shkas dhe i kësaj tryeze shkencore mbarëkombëtare, ku hidhet dritë mbi një bazë të re të dhënash gjuhësore për vendin që zë gjuha shqipe në familjen e gjuhëve indoeuropiane. Sipas studiuesit Paul Heggarty, indoeuropianishtja datohet rreth 8100 vite më parë, si një vlerësim qëndror i kohës kur filloi të përhapet dhe të ndahet.
Ai shpjegon se, thelbësisht, kjo familje rezulton e ndarë shumë shpejt- qysh rreth 7000 vite më parë nga koha e sotme, në disa degë të hershme, ndër të cilat është edhe dega paraardhëse e shqipes moderne. “Këto data dhe struktura e pemës gjenealogjike nuk përputhen as me hipotezën e stepës dhe as me hipotezën e bujqësisë për origjinën e gjuhëve indoeuropiane. Në vend të kësaj, aspekte të ndara të secilës prej tyre kombinohen në një hipotezë të re ‘hibride’: Indoeuropianishtja nuk e ka origjinën në stepë, por në harkun verior të Gjysmëhënës Pjellore, dhe vetëm disa nga degët e saj kryesore në Europë kaluan përmes stepës, si një pikë kalimi dytësore; shqipja, dhe disa të tjera, ka gjasa që nuk kanë kaluar në këtë rrugë. Kjo kumtesë paraqet të gjitha aspektet e këtij kërkimi të gjerë ndërdisiplinor”, thotë studiuesi Heggarty.
Sipas tij, ajo shpjegon pse këto analiza të reja filogjenetike Bayesiane ishin të nevojshme, bazuar në bazën e tyre të re të të dhënave gjuhësore, përfshirë tre varietete të shqipes. “Ai rishikon gamën e analizave të përdorura, paraqet rezultatet dhe i krahason ato me të dhënat arkeologjike, si dhe me interpretimet konkurruese të gjetjeve revolucionare nga ADN-ja e lashtë. Natyrisht, gjuhët janë faza në pasardhje të vazhdueshme në kohë, nuk kanë një datë lindjeje, dhe për këtë arsye nuk ka një “gjuhë më të vjetër”.
