Disa adoleshentë shqiptarë arrestohen në Belgjike për grabitje banesash. Pjesa tjetër e grupit i shpëton policisë dhe kthehet në Shqipëri. Gjykata në Bruksel jep dënim me kusht. Ata kthehen në Tiranë për t’iu gjendur pranë shokëve. Bazuar mbi dosjen e autoriteteve belge, prokuroria e krimeve të rënda këtu shqyrtoi çështjen për pjesën tjetër të grupit që i kishte shpëtuar drejtësisë belge. Në sallën e gjyqit shohin se shokët e tyre (ushtarët) marrin dënime të renda, minimumi: 7 vjet burg! Ligji! Imagjinoni trajektoren që mori e ardhmja e këtyre të rinjve.
Eshtë rasti ku përgjigja e parë dhe e fundit për çdo lloj krimi apo shkelje është: burg, burg, burg.
Nga krimet më të vogla, si mospagimi i faturave të energjisë elektrike, deri tek krimet më të rënda të trafikut ndërkombëtar të drogës, duket sikur ligji shqiptar shpesh funksionon si një thikë prestigjatori – bëhet thikë kasapi për qytetarët e zakonshëm dhe kthehet në thikë gome ndaj kriminelëve të mëdhenj.
Para një jave në Fier gjykata dënoi një çift pensionistësh (73 vjeç) me 14 vjet burg për “shfrytëzim prostitucioni”! Dhe të mendosh që për çështjet e mëdha kjo shifër duket po aq e largët sa Maja Kilimanxharos!
Në Shqipëri ka disa rekorde të zeza sa i përket politikës së dënimit. Jemi vendi që kemi numrin më të lartë të kërkesave për arrest ndërkombëtar në Interpol. Dhe për çfarë krimesh shpallim kërkim ndërkombëtar?
