Shqipëria vendi më i korruptuar në Europë, zbardhet raporti alarmant që i “ngrin” premtimin Ramës për anëtarësim …

Data

Shqipëria vazhdon të përballet me sfida të mëdha në luftën kundër korrupsionit, duke e bërë atë vendin më të korruptuar në Europë, sipas një raporti alarmant të publikuar së fundmi nga “World Justice Project”. Ky dokument hedh dritë mbi pengesat e shumta që përballen qytetarët dhe institucionet në përpjekjet për të siguruar një qeverisje të mirë dhe transparencë. Raporti tregon se këto probleme mund të “ngrijë” premtimin e kryeministrit Edi Rama për anëtarësim e vendit tonë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030. Detajet e paraqitura në raport theksojnë nevojën për reforma të thella dhe angazhimin e vendosur të autoriteteve për të adresuar këtë situatë, në mënyrë që të riparojnë besimin e qytetarëve dhe të përmirësojnë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. Me këtë sfond, pyetja mbetet: a do të arrijë Shqipëria të përmbushë standardet e nevojshme për integrimin europian?

Detajet nga Raporti

Për të shtatën vit radhazi shteti i së drejtës ka rënë në nivel global, sipas Indeksit të Sundimit të Ligjit 2024, publikuar nga “World Justice Project”. Këtë vit, sundimi i ligjit u dobësua përsëri në shumicën e vendeve të anketuara (57%). Megjithatë, të dhënat e Indeksit sugjerojnë gjithashtu se recesioni global i sundimit të ligjit po ngadalësohet dhe se progresi është i mundur. Shqipëria renditet në vendin e 89 nga 142 vende në mbarë botën. Rajonalisht, Shqipëria renditet e 10-ta nga 15 vende në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore. Vendi ynë performon më dobët në treguesin e “Mungesës së Korrupsionit”, duke u renditur në vendin e 107, që tregon për një nivel të lartë korrupsioni.

Mungesa e korrupsionit llogaritet nga këto faktorë:

1 Zyrtarët e qeverisë në pushtetin ekzekutiv nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private
2 Zyrtarët e qeverisë në degën e drejtësisë nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private
3 Zyrtarët qeveritarë në polici dhe ushtri nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private
4 Zyrtarët e qeverisë në degën legjislative nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private

Të anketuarit shqiptarë nuk bien dakord që në vend ka mungesë korrupsioni, përkundrazi, Shqipëria perceptohet si më e korruptuara në Europë. Ky është treguesi që ka marrë më pak pikë (37). Shqipëria perceptohet si më e korruptuara në Europë, duke lënë pas vetëm Ukrainën. Pas Shqipërisë, perceptimi më i lartë për korrupsionin është më Serbi (vendi i 93), Bosnjë Hercegovina (80), Maqedonia e Veriut (71), Kosova (65). Në rajon, perceptimin më të ulët për korrupsionin e kanë malazezët (62). Shqipëria hyn në zonën e kuqe të korrupsionit, ku zbatimi i rregullave të lojës është i dobët.

Shqipëria dhe tendencat botërore  

Që nga viti 2016, një recesion global i shtetit ligjor ka prekur 77% të vendeve të studiuara, përfshirë Shqipërinë.  Indeksi ndërtohet në bazë të 8 faktorëve: Kufizimet në kompetencat e qeverisë; Mungesa e Korrupsionit; Qeveri e hapur; Të drejtat themelore; Rendi dhe Siguria; Zbatimi Rregullator; Drejtësia Civile; Drejtësia Penale. Në nivel global, rëniet u nxitën kryesisht nga tendencat autoritare. Ndërmjet viteve 2016 dhe 2024, faktori i indeksit që mat Të drejtat Themelore ra në 81% të vendeve, përfshirë Shqipërinë. Gjatë shtatë viteve të fundit, pikët e Indeksit për Kufizimet mbi Kompetencat e Qeverisë kanë rënë në 77% të vendeve, përfshirë Shqipërinë. Në mbarë botën, legjislaturat, gjyqësori dhe shoqëria civile, duke përfshirë mediat kanë humbur të gjitha terren në kontrollin e pushtetit ekzekutiv, tregon Indeksi.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related