Ish-presidenti Ilir Meta ka shprehur kërcënime të rënda ndaj tre prokurorëve gjatë seancës gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë, ku ishin të pranishëm prokurorët Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura por sipas burimeve në të ka pasur shumë përplasje, ku nuk kanë munguar ofendimet e ish-presidentit Meta ndaj kreut të SPAK Altin Dumani.
Seanca ishte e tensionuar, me Meta që përdori tone të ashpra dhe fjalë ofenduese, duke e cilësuar kreun e SPAK si “Dum duman” dhe “Qen”.
Ai madje iu drejtua prokurorit me kërcënimin e kapjes së veshit dhe shprehjen “Këtu ta kam, mbaje mend çfarë kam për të të punuar”. Pavarësisht fyerjeve, kreu i SPAK dhe dy prokurorët e tjerë që ishin prezentë ruajtën qetësinë dhe nuk reaguan ndaj ofendimeve të Metës.
Ka qenë një seancë mes tensioneve, ku ish-presidenti Meta nuk i ka kursyer ofendimet apo ngritjen e tonit të zërit në drejtim të prokurorëve të SPAK e kundër Altin Dumanit, duke vijuar me etiketimet që ka përdorur edhe më herët kundër kryeprokurorit edhe në kohën kur merrej në pyetje si person në dijeni për hetimet që po zhvillonte Prokuroria e Posaçme.
Sipas informacioneve dhe burimeve në seancë është kërkuar kohë nga avokatët për tu njohur me aktet. Zoti Meta është shprehur me fjalë të ashpra dhe etiketime në drejtim të kryetarit të Prokurorisë së Posaçme, duke e etiketuar si Dumduman, por edhe me fjalë të tjera ofenduese.
