Mediat italiane raportojnë se ka përfunduar puna për qendrat e emigrantëve në Shqipëri që ashtu siç është parashikuar dhe në marrëveshjen mes dy qeverive do të jenë nën juridiksionin italian . Kampi e Gjadrit, zona e parë i pritjes në portin e Shëngjinit, ishte gati dhe është dorëzuar të mërkurën për testim. Në të është ndërtuar një qendër për qëndrimin e azilkërkuesve me 880 vende, një qendër spitalore me 144 vende dhe një burg 20 vende. Brenda një jave ambientet do të hapen për të akomoduar personat e parë që do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare. Dy qendrat në Shqipëri kanë kushtuar 670 milionë euro dhe do të drejtohen nga Italia.
Reagojnë mediat e huaja
Por kjo çështje, ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare të cilat e shohin këtë marrëveshje si një “thikë me dy presa”. Prestigjiozja britanike, “The Guardian” i ka kushtuar një artikull hapjes së kampeve në Lezhë me titullin: “Qendrat italiane të emigrantëve në Shqipëri hapen pavarësisht marrëveshjes së dyshimtë”. Edhe gjigandi amerikan “ABC News”, i ka kushtuar një artikull hapjes së kampeve të emigrantëve në Lezhë. “Italia hap në Shqipëri kampet që do të përpunojnë emigrantët meshkuj”. Media Greke “Kathimerini” gjithashtu ka shkruar për kampet në Lezhë në një shkrim të titulluar: “Dy qendra pritëse në Shqipëri gati për të trajtuar emigrantët e dërguar nga Italia”. “Washington Post” gjithashtu i ka kushtuar një shkrim hapjes së kampeve në Lezhë të titulluar; “Italia hap zyrtarisht qendra në Shqipëri për të përpunuar emigrantët meshkuj të kapur në ujërat ndërkombëtare”.
Që në fillimet e saj, ideja për të shmangur proceduarat e stërzgjatura të azilit në një vend të BE-së si Italia, duke i dërguar emigrantët në një vend jo anëtarë të BE-së si Shqipëria u pa me shumë skepticizëm. Për disa kjo lëvizje shkel të drejtat dhe lirit themelore të njeriut, e për disa të tjerë është një veprim i zgjuar nga i cili mund të përfitojë e gjithë Europa. Marrëveshja e diskutueshme për të transferuar strehimin e azilkërkuesve në një vend jo anëtar të BE-së është përshëndetur nga disa vende që, si Italia, po vuajnë një barrë të rëndë refugjatësh. Marrëveshja u miratua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si një shembull i “të menduarit jashtë kutisë” në trajtimin e çështjes së migrimit në Bashkimin Evropian, por është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut si një precedent i rrezikshëm. Thënë kjo, marrëveshja Itali-Shqipëri është prova e zjarrit, e cila ose mund të ndriçojë një rrugë të re zgjidhjeje për emigrimin e parregullt, ose mund të shkrumbojë dy vendet të cilat mund të përballen me akuza për shkelje të të drejtave të njeriut.
Rreziku
Por një vendim i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian rrezikon të prishë planin e Italisë, e cila synon të dërgojë në Shqipëri emigrantët që përcillen në Mesdhe për t’i nënshtruar në të ashtuquajturat procedura të përshpejtuara në kufi për shqyrtimin e kërkesave për azil. Në bazë të ligjit me të cilin Parlamenti ratifikoi marrëveshjen e nënshkruar me Tiranën, në qendrat shqiptare nën juridiksionin italian do të dërgohen vetëm shtetasit e vendeve të origjinës të përcaktuara si të sigurta. Për qëllime të shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare, legjislacioni europian parashikon që shtetet anëtare mund të hartojnë një listë të këtyre vendeve, të cilën Italia e përditësoi 7 majin e kaluar me një dekret ndërministror. Dhe këtu qëndron problemi. Sepse shumica e vendeve që qeveria italiane i konsideron ‘të sigurta’ shohin përjashtimin e disa zonave apo kategorive të njerëzve për të cilët Ministria e Punëve të Jashtme e vendos e bardhë mbi të zezë, por ato vende nuk janë të sigurta.
