Vizioni i Edi Ramës për krijimin e një “Vatikani për Bektashinjtë ” në Tiranë, si dhe ambicia e tij për të krijuar shtetin më të vogël në botë-brenda-shtetit, ka të ngjarë të jenë pjesë e një dizajni më të madh politik, sepse Rama është mbi të gjitha një politikan. Ai nuk është as një apostull i laicizmit që po përjeton më në fund një lloj epifanie, as nuk flet në mënyrë abstrakte në emër të UNESCO-s apo ndonjë organizate ndërkombëtare me një mision të lidhur me të – megjithëse shpallja e synimeve të tij për “Vatikanin Bektashi” u bë me rastin e fjalimit të tij në Kombet e Bashkuara.
Papritur publiku ndërkombëtar po lexon artikuj të gjerë, madje edhe në media me shtrirjen dhe vlefshmërinë globale të Neë York Times, rreth sipërmarrjes së guximshme të ardhshme të kryeministrit shqiptar. Krejt natyrshëm lind pyetja automatikisht: “Ç’janë gjithsesi këta bektashinj që kanë nevojë për Vatikanin e tyre – dhe sidomos në Shqipëri?”. Në të njëjtën kohë, Rama vlerëson ndoshta përfitimet e pritshme politike për vendin e tij, por po aq përfitimet individuale për veten e tij.
Sepse përveç aspektit fetar dhe teologjik të urdhrit bektashi, pra llojit të besimit dhe ritualit që ndjekin, diferencimit të bektashizmit nga trupi kryesor i Islamit etj., çështja kryesore për Edi Ramën qëndron kryesisht në mënyrën se si ky projekt i veçantë do të punojë në dobi të kryeministrisë së tij, si do të rrisë shanset e tij për t’u rizgjedhur në 2025 e kështu me radhë. Në këtë këndvështrim, para së gjithash mund të theksohet se lëvizja bektashiane është e ndërthurur tradicionalisht me luftën e shqiptarëve për pavarësi, me patriotizmin shqiptar ose, ndonjëherë, me nacionalizmin shqiptar.
