Gazetari Artan Hoxha qëndroi dje gati 3 orë në SPAK, ku u thirr në lidhje me hetimin e “21 Janarit” në cilësinë e personit që ka dijeni. Ai dorëzoi në këtë prokurori audio-përgjimin e marrë nga komunikimi në radio mes Gardës së Republikës së Shqipërisë më 21 janar 2011. Në një deklaratë për mediat, Hoxha u shpreh se në materialin që dorëzoi, del në pah se kush ishte zinxhiri komandues i Gardës, ditën kur në 21 janar 2011 u vrana 4 protestues. Sipas tij, urdhri ka ardhur me gjakftohtësi nga qeveria.
“SPAK-u ka filluar çështjen. Një nga elementët që prokuroria kërkoi është një kasetë me audio-përgjim, para momentit se të ndodhte vrasja, gjatë momentit që ndodhi dhe pas. Është momenti kur janë dhënë urdhrat nga komandantët e Gardës në 21 janar. Është thënë se nuk ka një server ku janë regjistruar të gjithë komunikimet në radio të drejtuesve të Gardës. Gjykata atëherë vendosi se gjithçka ndodhi nga pakujdesia dhe nuk kishte komunikim. Përmes kësaj kasete behet e qartë që jo vetëm ka pasur komunikim, por komunikime mes drejtuesve të gardës, është një komunikim rutinë që bëhet mes tyre, në momentin para se të ndodhnin vrasjet, gjatë vrasjes dhe pas vrasjes, një komunikim që duket shumë i ftohtë, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Është një material 34 minuta. Dëgjohen të gjitha komunikimet në radio. U regjistrua me diktofon, nga dikush që kishte akses në kanalin ku komunikonin zyrtar të lartë të Gardës.
Janë komunikimet në momentin e vrasjeve. Momenti që kanë fiksuar njerëzit kur ndodhi vrasjet, është vetëm 7 sekonda. Brenda 7 sekonda jepet urdhri për të hapur zjarr dhe në sekondën e 7 jepet urdhri të ndalohet. Nëse të shtënat do të zgjasnin 30 sekonda, aty do të ishte bërë masakër. Aty dalin edhe drejtues të lartë të shtetit që kanë komunikuar me drejtuesit e Gardës. Prokuroria do vlerësojë vlefshmërinë e këtij materiali dhe për çfarë do t’i shërbejë atyre. Aty është bërë e qartë, që vrasjet jo vetëm që kanë qenë me urdhër, por urdhri ka ardhur nga lart dhe urdhri është dhënë me gjakftohtësinë më të madhe. Urdhri është dhënë për të qëlluar dhe urdhri tjetër ka ardhur për të ndaluar. Nëse të shtënat do të kishin zgjatur më shumë se 7 sekonda aty do kishte ndodhur një masakër, jo se nuk ndodhi masakra, por nëse do të kishin zgjatur 30 sekonda do ishte bërë nami”, tha Hoxha.
