Në dosjen e Prokurorisë Posaçme (SPAK) për aferën Partizani, janë evidentuar një sërë shpenzimesh që dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi ka bërë jashtë vendit, kryesisht në blerje apartamentesh, për të cilat Prokuroria e Posaçme thotë se nuk gjenden gjurmë në deklaratat e pasurive. Sipas prokurorëve, edhe pse shpenzimet e Malltezit jashtë vendit janë të justifikuara, mungesa e deklarimit të këtyre pasurive nga bashkëshortja e tij bën të humbin gjurmët e të ardhurave të vërteta. Detyrimi për t’i deklaruar këto transaksione, sipas SPAK, ka qenë i Argita Malltezit, si person i lidhur me ish-kryeministrin Sali Berisha. Shpenzimet e listuara nga SPAK, lidhen me blerjen e një apartamenti në Budapest, në vitin 2019, për shumën totale të 163 mijë eurove.
Pagesat për këtë apartament janë bërë përmes bankës, të ndara në 4 këste në vlera të ndryshme. Po ashtu nga llogaria në euro e Jamarbër Malltezit gjatë vitit 2019 janë evidentuar 16 transferta dalëse për në Gjermani, në shuma kryesisht të vogla. Dy apartamentet e tjera të cilat përmenden në dosje janë blerë në Belgjikë, dhe në Roterdam në vitin 2021. Apartamenti në Roterdam, është blerë për vajzën në shumën e 320 mijë euro, ndërsa apartamenti në Belgjikë është blerë për shumën e 450 mijë eurove. Desara Malltezi rezulton të jetë blerësja, ndërsa paratë ishin dërguar përmes bankës nga babai i saj. Vetë SPAK thotë se të gjitha pagesat janë bërë përmes bankës, dhe kanë pasur dokumentacion justifikues për burimin e tyre.
“Vlen për t’u theksuar se, shtetasja Argita Malltezi e cila është e vetmja nga familja Malltezi që bën deklarimin e pasurisë në respektim të ligjit nr 9049/2003 (bashkëshorti i saj ka deklaruar vetëm me periudha te caktuara si person i lidhur me te atin e vet), nuk deklaron të ardhurat, shpenzimet apo pasuritë e bashkëshortit dhe as pjesëmarrjen e tij si ortak në shoqërinë Homeplan sh.p.k., të cilat sipas K.Familjes, i kanë në bashkëpronësi. Kjo bën që të humbasin gjurmët e të ardhurave të vërteta të familjes Malltezi apo shpenzimet e tyre reale, qoftë për pasuritë (blerje, mobilim, rikonstruksione) ashtu edhe për fëmijët e tyre”, thuhet mes të tjerave në dosjen e SPAK.
Detajet
Në dosjen e SPAK shfaqet me detaje gjithashtu dhe marrëdhënia e sekretarit të KRRT-së së Bashkisë Tiranë (Viti 2006), Marin Biçoku, me pjesëtarët e familjes Berisha dhe Malltezi. Biçoku, sipas dosjes së SPAK, rezulton pronar i një apartamenti nga shoqëria Homeplan, për të cilin nuk ka paguar asnjë qindarkë, madje ka përfituar nga kjo kompani dhe një shumë prej 12 mijë e 500 eurosh. “Në dy mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit, Bashkia Tiranë, është diskutuar ndryshimi i destinacionit si më sipër cituar, konkretisht në mbledhjet e datave 03.06.2006 dhe 08.06.2006. Nga pjesëmarrësit në këtë mbledhje, sipas akteve të administruara, ka rezultuar se grupi i Partisë Demokratike, rezulton të ketë pasur në krahun e vet, të paktën shtetasit Sokol Behaj, Adrian Myderizi, Marin Biçoku, Arben Qirjako (shih vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, nr 21 datë 17.07.2009 mbi shkarkimin dhe emërimin e 3 anëtarëve të KRRT-së të Bashkisë Tiranë, ku pasqyrohen emrat e këtyre shtetasve si propozime të grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike të Këshillit Bashkiak). Në këto mbledhje, konstatohet se kanë marrë pjesë ndër të tjerë edhe shtetasi Marin Biçoku, i cili rezulton të jetë drejtori i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit dhe bashkëpunëtor i ngushtë, si i familjes Malltezi ashtu edhe i familjes Berisha. 64.1”, thuhet në dosje.
