Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka njoftuar se gjatë kësaj jave do të depozitojë në Kuvend mocionin për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sina.
Sipas demokratëve, deputeti Sina ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.
Më konkretisht, ai ka shkelur pikën 3 të nenit 70 në Kushtetut, ku thuhet qartë se: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”.
Pika pasardhëse e nenit 70 shprehet se “Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.”
PD ka njoftuar se mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe nga Buxheti i Shtetit, do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend.
