Lulzim Basha nis përgatitjet për hartimin e listës të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme dhe premton…

Data

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha ka “ndezur motorët” për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Burime për gazetën  kanë mësuar se ditën e djeshme është zhvilluar një mbledhje e Kryesisë së Demokratëve Euroatlantikë, të drejtuar nga Lulzim Basha. Mësohet se në këtë mbledhje është vendosur përfundimi i procesit të evidentimit të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme politike. Evidentimi dhe prezantimi për publikun e gjerë të listës së kandidatëve shënon një hap të rëndësishëm për këtë forcë politike. Pas prezantimit të programit zgjedhor, gati një vit para zgjedhjeve, demokratët euroatlantikë kanë ndezur motorët për ofrimin e alternativës së tyre.

Krahas këtij procesi, Basha ka nisur një tur intensiv takimesh me aleatëve historikë të demokratëve euroatlantikë, por edhe me forcat e reja politike, me të cilët po koordinohen përpjekjet për një aleancë të gjerë politike. Sipas Bashës, në zgjedhjet e ardhshme janë një udhëkryq i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, e cila kalon përmes dy rrugëve: Rruga e vjetër, ajo që të çon të Rama dhe Berisha, duke mbajtur në këmbë një kastë të vjetër e të korruptuar që ka shpopulluar vendin; dhe një rrugë e re, e mishëruar nga një koalicion i gjerë vlerash, që qëndron ballazi me të vjetrën dhe që synon ndryshimin në zgjedhjet e ardhshme. Për kreun e demokratëve euroatlantikë forca politike që përfaqëson do të jetë me çdo kusht në zgjedhje, për t’u ofruar shqiptarëve alternativën që ata meritojnë dhe programin reformues të prezantuar në 1 qershor, fryt i punës i më shumë se 100 ekspertëve vendas e të huaj.

Basha ka përjashtuar çdo bashkëpunim me Berishën, duke e cilësuar atë asetin më të madh të Edi Ramës, i cili kërkon të ketë ish-kryeministrin përballë, në një garë se kush është më pak i korruptuar. Sipas Bashës pazari i Ramës dhe Berishës që nisi me amnistinë, vijoi me vulën dhe me vrasjen e Reformës Zgjedhore, duke dëshmuar se duan të mbajnë në këmbë kastën e tranzicionit. Në lidhje me amnistinë Basha ka reaguar ditën e djeshme mbi deklaratat e Altin Dumanit, ku kreu i SPAK raportoi se ndryshe nga deklaratat e ministrit Manja dhe Gazment Bardhit, nga bashkimi i votave mes Ramës dhe Berishës kanë përfituar 117 persona të dënuar ose në ndjekje penale për korrupsion nga SPAK/ GJKKO.

40 persona të dënuar për korrupsion u liruan, 65 të dënuar për korrupsion përfituan zbritje dënimi, 12 persona u përjashtuan nga ndjekja penale për korrupsion. Basha ka deklaruar se do qëndrojë përballë këtij pazari, i cili lë në pushtet Ramën, ndërsa i lejon Berishës të vijojë teatrin opozitar.

Paralajmërimi

Ndërkohë më herët kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha ka ndarë një video në rrjetet sociale nga bashkëbisedimi me të rinjtë, në të cilën ai komenton vendimin e vulës dhe hapat që do të ndjekin pas vendimmarrjes së Këshillit Kombëtar. Sipas Bashës gara e ardhshme elektorale nuk mund të zhvillohet nën sloganin se kush është më pak i korruptuar, Rama apo Berisha, por duhet të ketë një alternativë që tejkalon kryeministrin dhe ish-kryeministrin. Ndër të tjerat Basha thekson se demokratët euroatlantikë do të jenë në zgjedhje me ofertën dhe ekipin e tyre. Nga ana ligjore ky është një vendim katastrofë.

Është sikur t’ju vijë dikush në shtëpi t’ju thotë, çohuni se kjo nuk është shtëpia juaj, është shtëpia ime dhe nuk ke të drejtë as të ankohesh në Gjykatë. Dhe pikërisht, në radhë të parë, për të mos pranuar padrejtësinë dhe në radhë të dytë, për të mos pranuar që Sistemi i Drejtësisë t’i kthehet rrugëve të vjetra, do të bëjmë apelin, do ta çojmë në Gjykatë të Lartë. Do ta çojmë në çdo shkallë të Drejtësisë, deri në Strasburg. Sepse nuk mund të pranojmë, që padrejtësia të kthehet në normë në këtë vend. Bëhen gati t’i servirin shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme, pyetjen: Kush është më pak i korruptuar, Edi Rama, apo Sali Berisha? A është kjo pyetja që zgjidh hallet e shqiptarëve? Ndërkohë, tjetri është i përcaktuar non grata Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe. Është aktualisht në arrest shtëpie dhe hetim për korrupsion. Është përjashtuar me vendimin tim.

Dhe ti nga mëngjesi deri në darkë, çohesh me obsesionin e Sali Berishës. Në fakt, duhet të shkojmë te qytetarët me një ofertë politike. Nëqoftëse identiteti jonë është anti-berishizmi atëherë më vjen keq, por duhet të përgatiten për një fund simetrik. Ça do të thotë kjo? Që në momentin kur të mos ketë më berishizëm, nuk ka më Parti Demokratike Euroatlantike? Nuk jemi fraksion i Berishës. Madje, as nuk e pranojmë Berishën për fraksion. Rrugët tona janë ndarë njëherë e mirë. Asgjë s’ka ndryshuar. Demokratët euroatlantikë patjetër do të jenë në zgjedhje. Kjo alternative do të jetë para shqiptarëve. Alternativa që mos të zgjedhim më kryeministrin, apo ish-kryeministrin, por të zgjedhim një rrugë të re për vendin, do të jetë para shqiptarëve”, nënvizoi Basha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related