Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PSVE) dha ditën e djeshme një opinion pozitiv për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili u quajt një vendim “skandaloz” dhe “i turpshëm” në reagimet e para të Beogradit. Në mbledhjen e Komisionit në Paris është votuar raporti i deputetes greke Dora Bakojanis, në të cilin rekomandohet që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës. Për anëtarësimin e Kosovës votuan 31 deputetë, katër ishin kundër dhe një abstenoi, raportojnë mediat e Beogradit. Kryetarja e delegacionit serb në PSVE, Biljana Pantiç Pilja, deklaroi se përfaqësuesit e Serbisë, nga një nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi votuan kundër, ndërsa përfaqësuesja greke abstenoi. Hapi i radhës procedural është që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të shqyrtohet në seancën plenare të PSBE-së, e cila pritet më 18 prill. Fjalën përfundimtare nëse Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës do ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës. Në debatin e djeshëm, delegacioni serb theksoi sërish qëndrimin zyrtar të Beogradit se Kosova “nuk është shtet”, por “pjesë integrale e Serbisë” dhe se të drejtat e njeriut të serbëve po shkelen në territorin e Kosovës dhe “po nëpërkëmbet e drejta ndërkombëtare”, siç raportojnë mediat e Beogradit. Kreu i diplomacisë serbe Ivica Daçiç e quajti atë vendim “skandaloz” dhe “të turpshëm”. Ai theksoi se ky vendim “kërcënon dhe cenon” integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë. Në të njëjtën kohë, mediat e Prishtinës citojnë vlerësimet e zyrtarëve kosovarë se Kosovës i ka mbetur “vetëm edhe një hap” për tu anëtarësuar.
BE “shuplakë” Serbisë, Kosova merr “dritën jeshile” për anëtarësimin në Këshillin e Evropës
Data
