Personazh 2024”/ Dirigjenti flokëbardhë, trompisti i Bandës Mbretërore të Zogut

Data

THOMA NIKA

Fjala është për Illo Papadhimën, dirigjentin historik të bandës frymore të Sarandës, të themeluar më 1967. Nën vlerësimin e sotëm, krijimi në më shumë se 55 vjet të shkuara dhe jeta koncertore e një fanfare në një qytet të vogël e të skajshëm si Saranda, të shfaqen si një arritje që të ve në mendime.

Saranda ishte qyteti që la pas në këtë pikë jo vetëm qytete të tjera të vogla, të “sërës” së saj, por edhe të tjerë, me tipare të spikatura qytetare si Gjirokastra fqinje. Atë Gjirokastër, nga e cila ka mbajtur sytë tërë kohën, duke “huajtur” tradicionalisht edhe drejtuesit e vet. Në këtë kontekst, një Sarandë me fanfarën e saj, ishte një shenjë e fortë kulturimi.

Shkopi i dirigjimit të kësaj trupe muzikore, ra në duart e një muzikanti si Illo Papadhima.

Në fakt, koncertet e para u organizuan nën dirigjimin e Limos Dizdarit. Djaloshi i pashëm, i cili u printe njerëzve që “prodhonin” tinguj e melodi marciale nëpër rrugët e Sarandës, ishte Limos Dizdari. Një shef muzike “qumështor” sa kishte mbaruar “artet”, që atëherë nënkuptoheshin me fjalën “konservator”. Ende nuk e kishte një emër, por kishte një barrë ëndrra dhe shumë pasion artisti. Nga lëvizjet e shkopit të dirigjentit në ecje e sipër kaçurelat e bukura i kërcenin mbi ballë, teksa drejtonte ata njerëz që u bënë “çudia” e bukur e qytetit. Djaloshi i ri nga Rusani i Delvinës e kishte ndarë mendjen t’ia prishte përgjumjen këtij qyteti. Me mjetin më të sigurtë e më të këndshëm, muzikën.

Por, ata që e bënin muzikën marciale, kishin nevojë të punonin e të aftësoheshin gati përditë, për t’u ushtruar në instrumentin që luanin. Kjo kërkoi që dikush tjetër të merrej me drejtimin e trupës, të paktën tri herë në javë.

e85e1d5a-1dc3-4102-aefb-c2828d19bead

DIRIGJENTI FLOKËBARDHË

Kështu do të ndodhte që muzikanti i ri Dizdari, do ta shkarkonte këtë barrë te plaku i mësuar, te nivicioti Illo Papadhima, të cilit që në ato vite, plot dashamirësi, i thërrisnin “Barba Illo”.

Këtë “zanat” ai e kishte “vjedhur” kur qe ushtar. Dhe kishte përparuar jo pak, derisa ia doli të ishte trompist për vite të tëra në bandën mbretërore të Zogut në Tiranë. Përgatitjen dhe dashurinë për një formacion të tillë muzikor, e kishte. Dhe u tregua i gatshëm e i aftë ta merrte përsipër drejtimin e fanfarës. Ndjeu nga afër edhe ndihmën e kualifikuar të profesorit të trompës Osman Banushi, të klarinetistit të dëgjuar në vend Ramazan Kaponja e të tjerëve, që vunë dorë prej profesioniatësh të afirmuar në shkallë vendi për rritjen e shpejtë cilësore të trupës së fanfarës së Sarandës. Me asistencën e tyre të pandarë dhe me Barba Illon e përkushtuar në krye, banda frymore do të merrte fytyrë e do të ishte prezente në gjithë “sebepet” e mëdha festive, promovuese e deri dhe mortore të qytetit. Por, edhe pa pritur këto “sebepe”, shkallët e podiumit të koncerteve në sheshin e qytetit, trupa e fanfarës i ngjiste të paktën çdo 3 muaj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related